Monday, March 28, 2011

Kush janë metropolitan-ët e vërtetë?...

Kush janë metropolitan-ët e vërtetë– “nga Kamza në Babru për të pirë kafe” Qyteti dhe Distancat



... skulptura e një djali dhe një kali nuk të lënë të ngatërrohesh kurrë ... arritëm tek shesh rrotullimi i Kamzës. Kishim përfunduar ecjen e parë dhe kishim përmesuar një pjesë të Tiranës, të cilën shumë banorë të qendrës nuk e dinë akoma që ekziston. E quaj veten me fat që e mbaj mend se si ka qenë ky kryqëzim përpara se të vendosej kali dhe përpara se të ekzistonte Kamza vetë si qytet, sepse kështu kam kuptuar se si mund të krijohet një qytet ... një temë leksioni kjo që ua bëj shpesh studentëve të mi. Banorët e Kamzës dukej se kishin dëgjuar këshillat tona të gati 15 viteve më parë kur në zonë punonim me Co-PLAN dhe kur u thoshim se “Kamza ka nevojë për sheshin Skënderbe” ku të ndalojë një autobus që vjen nga qendra e Tiranës ... dhe këtu e kishte fjalën jo vetëm për nevojën e lidhjes me Tiranën, por edhe të identifikimit e konsiderimit që banorët e saj kishin nevojë...

Gjithçka ndodh sot në sheshin e “djalit dhe kalit”, ku edhe ne morëm furgonin për në drejtim të qendrës së Tiranës. Kur ishim ende pa arritur në “Kodër Kamzë” makina ndaloi dhe në furgon hipi një djalë rreth të 17-tave i cili siç i tha me zë të lartë shoferit, po shkonte të argëtohej “nga Babrruja”. Me mendjen time mendova sa larg që shkuakërka ky djalë për të dalë shëtitje dhe për të takuar shokët ... këtë gjë vështirë se do ta bënin moshatarët e tij “të qendrës”.  Siç mësova më vonë familja e tij vinte nga Veriu dhe babai i tij kishte emigruar që herët në Angli dhe nuk jetonte me të. Dikush nga ne pyeti në se shkonte në shkollë dhe në cilën shkollë. U përgjigj se shkonte në gjimnazin “Partizani” dhe menjëherë kuptova se djali udhëtonte përditë distanca të gjata për të vajtur në shkollën e tij dhe këtë e thoshte me natyrshmëri të tillë që dukej se nuk i bënte fare përshtypje. Në këtë moment nuk e di përse, por instinktivisht ndjeva keqardhje për gjithë banorët e tjerë të “Tiranës qendrore” të cilët mendojnë se jetojnë në “metropol” ... një fiksion alibik për të shpëtuar nga ndjenja e fajit të shumë problemeve që krijojnë vetë përfshi këtu edhe trafikun. Nga ana tjetër krijimi i këtij iluzioni se jetojnë në një qytet të madh fiktivisht, por të përjetuar pak fizikisht ... duke “shijuar” vetëm atë “pjesë të metropolit” që e kanë simuluar artificialisht poshtë hundës së tyre, krijon një tipologji provinciale dhe centromani të tejskajshme. Buzëqesha me vete kur kujtova një bisedë tjetër që kisha bërë me disa studentë dhe prindër të tyre kur u thosha se shkolla do te zhvendosej nga qendra në një zonë 6 km në drejtim të perëndimit të qytetit, në një zonë të shërbyer me transport –  “po si do të udhëtojnë fëmijët tanë ose ne deri aty”? Asokohe nuk e kisha bërë ende bisedën me djalin e furgonit ... dhe përpiqesha t’i bëja të kuptonin se herët ose vonë duhet të fitonin dimensione të reja mbi qytetin ... dimensione metropolitane. Heshtja që pasonte bisedën më bënte të kuptoja se ishte një sfidë që u pëlqente ...  Në fakt mendoj se “njerëzit e periferive” e kanë fituar këtë dimension metropolitan dhe të “lirisë së lëvizjes” shumë më parë se ne “njerëzit e qendrës”.


Distanca që kishim ecur në këmbë atë paradite ishte vetëm 15 km. Duke pirë kafe në Tiranë e menduam këtë itinerar të mbjellë me palma e me peme, me trotuare të gjera e me lokale ... me pemë që kapërcejnë muret dhe degët e të cilave dalin mbi rrugë  .... Ndoshta një ditë do të jemi ne banoret e “Tiranës qendrore” që do të kemi nevojë për sheshin e “Djalit dhe Kalit” dhe për këto rrugica që do të kenë marrë peshën kohës ... 

Artikulli nga Sotir Dhamo

No comments:

Post a Comment