Thursday, March 31, 2011

Disa Tiranat...

Disa Tiranat...
...nga rrapet, eukaliptet, palmat dhe pishat e buta
( Kronike nga itinerari Rruga e vjetër e Shkodrës, Blloku “Partizani”, Aeroporti i vjetër, Lapraka, Kashar.)


Tirana që shohim sot ndodhet mbi një Tiranë që jo për të gjithë është e dukshme ... ka shumë pak shenja që e lexojnë atë. Edhe pse ajo që shohim sot duket se ndonjëherë është e vetmja Tiranë “fitimtare” ndaj asaj që duhet të kishte poshtë ... kjo Tiranë e fshehtë shpesh dërgon sinjale që fillojnë ta vënë në dyshim këtë “tirane”....

Rrapi pranë lidhjes së shkrimtarëve nuk të ngatërron kurrë ... Këto pemë madhështore të bëjnë gjithmonë të mendosh se janë të parat dëshmitare të gjërave që kanë ardhur pas tyre. Kam menduar gjithmonë se pranë tij, aty ku sot është një kafene, do të ketë pasur ndonjë burim a pus uji që gjendej ndanë rrugës e cila harkon lehtë para se të dalë në rrugën e Kavajës. Dëshmi tipike e fushës plot ujëra nëntokësore të Tiranës, këto shenja duket se mund të jenë ndihmueset e vetme për të shkuar thellë në historinë e leximit të itinerareve më të vjetra në territorin e asaj që sot është Tirana ... të ruajtjes së formave më bazike, të vijave më të vjetra të ujërave që sot nuk ekzistojnë më, e të lumenjve nëntokësorë ... apo përrenjve të transformuar në rrugë ... një i tillë është edhe “Ai” (rrapi) tek ura e tabakëve dëshmitar i një lumi që kalon pranë por jo më në të njëjtin vend ...

Ndryshe mendon kur sheh një eukalipt të vetmuar që si padashje është ndodhur në një shesh mespallatesh apo në afërsi të çuditshme nga një fasadë pallati. Kjo pemë e ardhur shumë më vonë në Tiranë na tregon të tjera histori ... me siguri një vilë të munguar, në vend të së cilës tashmë është ngritur një “pallat”, ndonjë mbjellje ceremoniale të “pemës së ardhur nga BS” në një shesh lodrash për fëmijë ku sot ka mbetur vetëm pluhuri gri dhe ndonjë hekurishte e groposur ... në sfond të kësaj shkretëtire “pallati” ... por të paktën eukalipti ka rezistuar akoma.

... ndërsa tek oborri ku ndodhej ajo palmë e madhe, dera e të cilit dikur qëndronte vetëm e hapur, kur isha fëmijë dhe kthehesha nga disa të afërm që kisha në atë zonë, mblidhja gjithmonë fara palmash ... ato ngjanin tamam si kokrrat e kafesë ... në mënyrë instiktive ende ndjej një lloj ekzotizmi të përzier me nostalgji për atë oborr mbushur me “kokrra kafeje” ... mbase ky ka qenë edhe qëllimi i atij personi që për qejfin e tij kish ngritur në Tiranë atë vilë me stil eklektik dhe që me siguri gjatë viteve të “pushtetit popullor” ishte kthyer në një banesë kolektive për disa familje që nuk kishin kurrfarë lidhje me të zotin e shtëpisë ... aq me tepër me “kokrrat e kafesë” ... dhe ndaj dera qëndronte gjithmonë e hapur ... Këto hapësira që nga private u kthyen të askujt ... dhe më pas sot janë mbyllur përsëri me dyer, kanë dëshmitare shumë të forta këto gjallesa ... siç është akoma edhe kjo palmë. Ky stil eklektik dhe palmat ekzotike duket se pajtohen mjaft mirë ... aq më tepër kur në afërsi të ndërtesës në fjalë sheh tentativa stilesh sikur të jenë zgjedhur nga një katalog stilesh, por të ardhura me shumë vonesë në Tiranë.

Pishat e buta me lartësi jo shumë të madhe ... që dalin jashtë mureve rrethuese dhe që shpesh kanë shtrembëruar edhe ato mure më kujtonë shumë gjëra përfshi këtu pyllëzimet bregdetare ... por mbi të gjitha zonat industriale të ndërtuara në një kohë të caktuar ...ato nuk kanë qenë tipike për oborret e shtëpive ... por shënonin më së miri rrugën ku duhet të ecnin punëtorët kur dilnin nga kapanonet industriale, parkun e organizuar e kështu me rradhë ... shenja këto që i lexon edhe nga jashte mureve rrethuese ... të tilla sinjale pash brenda mureve rrethuese të disa prej pjesëve të ish-kombinatit “Josif Pashko”, të cilin mund ta dallosh prej larg prej kurorës jeshile të errët mbi blloqet e betonit gri.

Qyteti përbëhet nga “lexime elastike” shenjash të mbivendosura, të transformuara në diçka tjetër ... të transmetuara nga thellësia ku janë “groposur” në variacione të lëvizjes së sekuencave të hapësirës, në intensitete të ndryshme përjetimi të hapësirës, ... kjo na ndihmon ta shohim qytetin gjithmonë ndryshe ... dhe kjo varet nga “dukshmëria”, por më mirë le të themi nga  aftësia për të parë dhe për të vënë në raport këto shenja ...
... Nuk i kam harruar selvitë por atyre do tu kushtoj një kapitull tjetër ...

 Artikulli nga Sotir Dhamo
Foto Skerdi Gjebrea

2 comments:

  1. YOu have a very interesting blog :) Keep on with the good work! :)

    http://mirelamededovic.blogspot.com/

    ReplyDelete
  2. wow love this pic...love tirana...the food and wine.. ;)

    ReplyDelete